- Maturantët kanë në dispozicion pesë ditë afat për të bërë
kërkesën për të tërhequr fotokopjen e testit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe
Letërsisë. Të gjithë maturantët që dëshirojnë të marrin fotokopjen e testit të
provimit që kanë dhënë, duke filluar nga disa e hënë e javës që vjen deri të
premten, pra nga data 15 qershor deri në 19 qershor duhet të bëjnë kërkesën si
dhe të dorëzojnë mandatpagesën për fotokopjen e testit prej 400 lekësh pranë
shkollës ku kanë plotësuar formularin A1/A1Z. Por sipas njoftimit të AKP-së,
rivlerësim të provimit nuk do të ketë.
Fotokopja
Bazuar në nenin 28, pika 8, të Rregullores së Maturës Shtetërore 2015, maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar KSHMSH-së, e cila do t’i kthejë dhe përgjigjen. Duke u bazuar në këtë nen, AKP njofton të gjithë maturantët se kanë pesë ditë kohë për të bërë kërkesën për të marrë fotokopjen e provimit të detyruar të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. “Kërkesat për fotokopje të testit të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, bashkë me mandatpagesën, duhet t’i paraqiteni pranë shkollës suaj (shkolla ku keni plotësuar formularin A1/A1Z), duke filluar nga data 15 qershor deri në 19 qershor 2015. Fotokopjet e testit do të përcillen nëpërmjet DAR/ZA në shkollat tuaja. DAR/ZA duhet të paraqesin pranë AKP-së, kërkesat e mbledhura nga shkollat brenda datës 22 qershor 2015.
Afatet e paraqitjes së
kërkesave për fotokopjen e testit të Matematikës dhe të lëndëve me zgjedhje do
t’ju bëhen me dije në vijimësi”, thuhet në njoftimin e AKP. Ditën e enjte 40
mijë maturantë u njohën me vlerësimin që kishin marrë në provimin e Gjuhës
Shqipe dhe Letërsisë, ku kalueshmëria këtë vit ishte 95%, ndërkohë që 5% nuk
arritën të kapnin 20% të pikëve të testit dhe janë vlerësuar me notë jokaluese.
Edhe këtë vit, që një maturant të konsiderohej kalues duhet të merrte 20%
pikëve të testit, pra notën e përshkallëzuar 4.5 ose thënë ndryshe 10 pikë. Por
edhe këta 2034 maturantë që kanë ngelur, kanë të drejtë të kërkojnë fotokopjen
e testit për të parë se ku kanë çaluar, edhe pse rivlerësim të testit nuk do të
ketë. Specialistët sqarojnë se përjashtim do ketë vetëm për ato raste kur mund
të jetë bërë një gabim teknik i grumbullimit të pikëve.
Në rezultatet e Letërsisë
në Maturën 2015 ka një rritje të cilësisë, pasi mbizotërojnë notat 6, 7 dhe 8.
Kurba e vlerësimit në provimin e Letërsisë tregon se nuk ka përqendrim në një
notë, siç ka qenë vjet, që shumica kishim marrë nën 25 pikë, ndërsa këtë vit
shikohet se pjesa dërrmuese e maturantëve kanë marrë 27 pikë e lartë. Pra,
cilësia është më e mirë, pasi shumica e maturantëve i kanë dhënë zgjidhjen e
duhur më shumë se gjysmës së testit, sepse totali i pikëve është 50 pikë. Nota
më e përhapur te maturantët e këtij viti ka qenë nota 6-7-8, e cila tregon se
maturantët kanë njohuri mesatare në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Pas një jave, të
premten që vjen, në datë 19 qershor maturantët do t’u nënshtrohen provimeve me
zgjedhje. Ndërsa për sa i përket provimit të Matematikës, rezultatet pritet të
dalin pas dy javësh.©Gazeta Shqiptare
0 comments:
Post a Comment