Provimet e Maturës 2019, aplikim që në muajin janar. Formulari A1



Kanë mbetur më pak se dy javë nga dita kur do të nisë aplikimi i maturantëve për provimet e Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka hartuar rreth një muaj më parë rregulloren e provimeve, por e bërë publike një ditë më parë, përcakton se aplikimi për formularët A1/ A1Z përmes portalit qeveritar “e-albania” do të hapet në javën e parë të shkollës dhe përfundon në fillimin e muajit shkurt.

Për disa muaj do të bëhet përpunimi i të dhënave të maturantëve, që do të shërbejnë për garën në universitete. Në fund të muajit maj nis sezoni i provimeve, që sivjet, ndryshe nga vitet e tjera, vjen me disa risi. Maturantët do të japin katër provime, tre me detyrim e një me zgjedhje, ndërsa numri i këtyre të fundit është reduktuar në tetë të tilla nga 20 që kanë qenë më parë.

FORMULARËT A/A1Z

Si asnjëherë tjetër, plotësimi i formularëve ku përcaktohen lëndët që do të jepen provim do të caktohet që në muajin janar. Por më parë duhet të publikohet vetë formulari bashkë me udhëzuesin online për plotësimin e tij, çka nuk është publikuar ende as në faqen e Ministrisë së Arsimit e as në atë të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ndonëse rregullorja përcakton këtë të hënë si datën limit për shpalljen e tyre.

Përveç afatit të aplikimit, i cili është afruar me së paku dy muaj më herët, procedura do të jetë e njëjtë. I njëjti aplikim bëhet dy herë, më parë në portalin e qeverisë e më pas atë të maturës. “Maturanti/kandidati bën aplikimin online fillimisht në portalin qeveritar e-albania në periudhën 07-15 janar 2019 dhe më pas në portalin ‘Matura shtetërore 2019’, në periudhën 16 janar-06 shkurt 2019, sipas një plani kalendarik të publikuar nga QSHA-ja”, përcaktohet në pikën 3 të nenit 13 të rregullores, ku nënvizohet se ky proces aplikimi do të bëhet sipas afateve të caktuara nga QSHA-ja, ndonëse kjo e fundit nuk po respekton afatet që vendos rregullorja.

Maturantët e sivjetmë mund të plotësojnë formularin në gjimnazet përkatëse përmes rrugës elektronike. Ndërsa të vjetrit për të aplikuar në sistem duhet të kenë me vete dy dokumente: një kërkesë me shkrim për dhënien e provimeve të maturës dhe për të aplikuar në universitet, si dhe një kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë bashkë me vërtetimin e notave të të gjitha viteve, për t’i dorëzuar në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm.

RREGULLORJA PËR PROVIMET

Dokumenti voluminoz përmban gjithë informacionet mbi hartimin e tezave, ruajtjen e tyre, çdo detaj mbi provimet e Maturës Shtetërore të këtij viti e deri te të drejtat dhe penalizimet për maturantët dhe administruesit e provimeve. Në ditën e caktuar, maturantët duhet të paraqiten 1 orë e gjysmë para me laps, vizore, kompas dhe makinë llogaritëse.

Ata duhet të sigurohen vetë që fleta e testit bashkë me barkodin e sekretimit janë të padëmtuara, pasi në të kundërt do të jenë ata që do të penalizohen. Midis të drejtave të maturantëve është edhe ajo e marrjes së një kopjeje të testit, por QSH-ja është e vendosur për të mos e rivlerësuar atë, përpos pretendimeve që mund të lindin nga të rinjtë.

Katër provime në qershor, vetëm një me zgjedhje

Kjo është e para maturë që do të japë vetëm një provim me zgjedhje, nga dy që jepeshin në maturat e shkuara. Por, lënda ku maturantët pretendojnë se janë më mirë dhe mund të marrin notë maksimale nuk do të jetë e vetmja që do të përcaktohet në Formularin A1. Përpos saj, këtë vit do të futet edhe gjuha e huaj, ku të rinjtë do të testojnë njohuritë e tyre në: anglisht, italisht, gjermanisht ose frëngjisht.

Po ashtu, nga moria e lëndëve me zgjedhje, tashmë gjimnazistët e vitit të fundit kanë vetëm tetë lëndë, midis të cilave mund të zgjedhin fushën ku mendojnë se do shkëlqejnë dhe që ka lidhje me profilin e studimit që do të zgjedhin universitetin. Përveç lëndës preferenciale që do të jetë provimi që zakonisht jepet i fundit, maturantët do të kenë edhe tre provime me detyrim: Gjuhë e huaj, Gjuhë dhe letërsi shqipe dhe Matematikë. Testimi i njohurive në provimet e detyruara do të mbështetet vetëm në dijet e marra nga kurrikula bërthamë, ndërsa për lëndën që maturanti e përzgjedh vetë, MAS nuk mban përgjegjësi nëse e ka kryer apo i është ofruar ajo lëndë në shkollën e tij.

Sa i takon përgatitjes për provime, që në fillim të tetorit MAS ka bërë publike programet orientuese. Maturantët e interesuar kanë kohë mjaftueshëm deri në qershor për të studiuar tematikat e duhura që mund të jenë pjesë e tezës finale.

APLIKIMI PER PROVIMET

Miratimi dhe publikimi i formularëve A1 dhe A1Z
1. MASR miraton formularët A1 dhe A1Z, si dhe udhëzuesit përkatës, Brenda datës 20 dhjetor 2018.
2. Deri më datë 24 dhjetor 2018, shpallen në portalin e MASR dhe në faqen zyrtare të QSHA-së:
a) Formularët A1 dhe A1Z
b) Udhëzuesi i plotësimit online të formularit A1 dhe A1Z nga maturanti/kandidati në portalin qeveritar ealbania, si dhe në vijim në portalin “Matura shtetërore”
c) Udhëzuesi i plotësimit online të bazës së të dhënave nga komisioni i maturës shtetërore në portalin “Matura Shtetërore”
d) Udhëzuesi i plotësimit online të bazës së të dhënave në portalin “maturanti”.
3. “Maturanti/kandidati bën aplikimin online fillimisht në portalin qeveritar e-albania në periudhën 07-15 janar 2019, dhe më pas, në portalin “Matura Shtetërore 2019″,
në periudhën 16 janar-06 shkurt 2019”, sipas një plani kalendar të publikuar nga QSHA-ja. Aplikimi në portalin “Matura Shtetërore 2019” bëhet edhe sipas afateve të vendosura nga QSHA.
4. Komisioni i maturës shtetërore, deri më datë 15 shkurt 2019, afishon në shkollë, një kopje të bazës së të dhënave të shkarkuar nga portali i maturës shtetërore dhe pret vërejtjet e maturantëve/kandidateve për korrigjime të mundshme në bazën e të dhënave të regjistruara në portalin “Matura Shtetërore”. brenda datës 28 shkurt 2019, bëhen verifikimet dhe korrigjimet përkatëse në sistem.
Share:

0 comments:

Post a Comment

---
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts