I dashur Z. Green
Nuk e kuptoj, si mund t’i drejtohem dikujt ne mënyrë te tillë. Shpresoj mos të më quani të paedukatë. Kjo ndodhi për të vetmin shkak se I ndjeva së tepërmi personazhet tuaja. E mbaj në duar librin gjatë gjithë kohës ndërsa e lexoj dy herë e më pas katër, gjashtëmbëdhjetë…U vjetërova shumë z.Green!
Për t’ju dërguar këtë letër kam luftuar ‘dallgët’ tuaja. Nuk e di se çfare keni menduar kur keni derdhur mbi letër ‘FAJI NË YJET TANË’ por unë personalisht nuk mund të imagjinoj gjë tjetër veç një deti të hapur. Personazhi ynë ( Ah, sikur të mund ta quanim të tillë vetëm për pak!) është një shishe e mbyllur e vërvitur prej piratëve dhe brenda saj ndodhet çelësi i një ishulli të tërë. Me pak fjalë , nuk mund ta justifikoj padrejtësinë tuaj z.Green. Nuk mund të zhduken ëndrrat dhe drita nëse jeta të fluturon mbi një det plot kancer. Nuk mund ti lëshosh rrufetë në parajsë. Por, ndonjëherë mendoj se keni të drejtë, se e gjitha është një metaforë, një cigare në mes të buzëve që vetëm ti mund ta ndezësh. Augustus ishte plotësisht i sigurt për këtë dhe përsëri ishte ai i cili largohet I pari. Keni të drejtë, jeta gjithmonë luan me sfidat, ndërsa ne jemi kartat e saj dhe siguritë tona varen nga një lëvizje e mundshme qelizore, nga një kancer i shëmtuar.
Ju thatë se nuk doni të harroheni, thatë gjithashtu se do të vijë një ditë që askush sdo ta kujtojë më Kleopatrën ndërsa në fund Augustus kujtohet prej Hezëllit. Më pëlqen pasqyra në të cilin shihni realitetin! Ndoshta një ditë askush sdo të e kujtojë Kleopatrën por jam e sigurtë që dikush dikur është magjepsur pas saj dhe ka të skalitur në hirin e eshtrave të tij një kujtim të përjetshëm të dashurisë. E gjitha kjo do të ndodhë me qënien tonë, do të jetë dikush që do të dashurohet me kujtimin ,buzëqeshjen,aventurën dikush që në hirin e eshtrave të tij do të ruajë pakëz nga ne. Unë mendoj se do të harrohemi prej atyre që dëshirojnë të na harrojnë. Ne, sadopak ditë që jetojmë do të realizojmë një ëndërr, ashtu siç ishte udhëtimi në Amstedam i Hezëll e Augustus, do të zbulojmë një të vërtetë, ashtu siç dashuria e Monikës për Isakun dhe kur padrejtësia të na mbyllë në një shishe të hedhur në det , do ta gjejmë ishullin e pazbuluar , do të shkruajmë fjalimin më të bukur për vdekjen.
Fundi me të cilin e keni rrokur personazhin tonë është shumë i trishtë. Nëse do të isha ju,që nuk do e gëzoja kurrë këtë privilegj,do të ‘’blija ‘’ mendjen e piratevë dhe do e ruaja shishen por ja që jeta është një rrjedhë e pandryshueshme. Pra, po mendoja një botë pa kancer por u kujtova se nuk do të ekzistonte grupi mbështetës dhe personazhet tanë nuk do të njiheshin kurrë,prandaj mendova një zgjidhje të dytë. Ju thatë se herët apo vonë do të lëndohemi. Atëherë unë po përpiqem të zbres sadopak nga maja e piramidës së vuajtes personzhet tanë. Po sikur të largoheshin së bashku drejt parajsës? T’i ngjisnin shkallët e saj me duar të lidhura prej njëri- tjetrit , me bomblën e oksigjenit të vajzës dhe këmbën e prerë të Augustus, ndoshta kështu nuk ndjehet fort dhimbja.
Për ta përfunduar I dashur z.Green, me ‘Faji në yjet tanë’ ju trazuat gotën në të cilën ndodhej jeta ime. Ndonjëherë harroj se në të ka pakëz sheqer. Nëse dikush një ditë do të dojë të largohet, do t’i flasë për personazhin tonë, për fajin e lënë mbi yje dhe jam e sigurtë se do ju shkruajë edhe dikush tjetër sepse vepra juaj është si një pjatë me të cilën nuk ngopesh, është si një infinit i kapshëm prej ëndrrës dhe ëndrra është ajo orbita imagjinare që shpresa njerëzore jeton për ta arritur.
Nëse nuk ju shkruaj unë përsëri, do të jetë dikush tjetër që do të ketë më shumë nevojë Ju jam pafund mirënjohëse, Fizjona Karemanaj!
0 comments:
Post a Comment