Mjekësia, zbardhen kuotat dhe tarifat për 2016-2017

Viti i ri akademik do të presë më pak studentë në auditorët e Universitetit të Mjekësisë. Senati akademik i Universitetit të Mjekësisë ka miratuar numrin e studentëve dhe pagesën që duhet të bëjnë ata për shkollimin.

Në bazë të tabelës së nisur për miratim Ministrisë së Arsimit, të cilën e disponon gazeta, vihet re një ulje e ndjeshme e numrit të pranimeve thuajse në të gjitha degët, ndonëse universitetet i kanë kapacitetet pritëse.
Në mesin e dhjetë programeve të studimeve, Stomatologjia është e vetmja që bën përjashtim duke njohur rritje të kuotave, nga 55 në 82. Ndërsa shuma që duhet të paguajnë vitparistët mbetet e njëjtë me përjashtim të degëve të shumëkërkuara: Mjekësi e Përgjithshme dhe Farmaci.
Kjo është hera e parë kur do të aplikohet ligji i arsimit të lartë, i cili u jep të drejtë universiteteve të vetëmenaxhohen, duke caktuar tarifat dhe numrin e studentëve që duan të pranojnë. Si vit i parë, senati i UM ka vendosur të mos rrisë menjëherë tarifat, duke u përpjekur nga ana tjetër të gjejë burime alternative financimi nëpërmjet edukimit në vazhdim apo projekteve të huaja.
Në rast se ato nuk rezultojnë të suksesshme, shpenzimet e duhura për funksionimin e universitetit do të duhet të mbulohen nga tarifat e studentëve, si të ardhurat kryesore. Sipas ligjit të ri, MAS nuk ka të drejtë të ndërhyjë, me përjashtim të kuotave e tarifave tavan.
VENDIMI I SENATIT
Edhe këtë vit degës së Mjekësisë i janë ulur edhe 10 kuota, duke e çuar numrin e pranimeve në 230, po aq sa kapaciteti pritës që ofron fakulteti. Po ashtu, sipas vendimit të senatit për kuotat e tarifat, e përmbledhur në tabelën përbri, Infermieria ka ulur gjithashtu numrin e pranimeve në 274, nga 300 të një viti më parë. Ndërsa tarifa që duhet të paguajnë studentët e rinj mbetet e njëjtë, 40 mijë lekë.
Ulje kuotash kanë pësuar edhe degë të tjera në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike: Fizioterapi, Imazheri, Logopedi, Mami dhe Teknik laboratori. Kështu, në degën e Fizioterapisë do të ketë vetëm 48 pranime të reja nga 60 që ishin një vit më parë. Imazheria po ashtu do të ketë 47 vende, mbi 20 kuota më pak se vjet. Ndërsa 40 kuotat e Logopedisë, këtë vit do të ulen në vetëm 28. Mamia do të jetë thuajse në gjysmën e numrit të studentëve që priti vjet.
Nga 80 që ishin një vit më parë, po sa janë edhe mundësitë që ofron fakulteti, dekanati i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike e ka parë të arsyeshme ta çojë këtë shifër në 43. Kundrejt kuotave që duhet pranuar se janë ulur ndjeshëm, studentët që do të pranohen në degët e mësipërme nuk do të paguajnë me tepër se 35 mijë lekë të rinj, po aq sa është aktualisht.
E vetmja që ka mbetur në vendnumëro është Farmacia, e cila do të pranojë në auditore edhe këtë vit 90 studentë. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për shumën që duhet të paguajë studenti që arsimohet aty, e cila është 5 mijë lekë më tepër.
Share:

0 comments:

Post a Comment

---
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts