Manuali/ Mbyllet Matura Shtetërore, si të aplikoni në universitete


Me mbylljen e provimeve të Maturës Shtetërore, dilemat e maturantëve sa vijnë e shtohen.

Të gjithë pyesin se cila është rruga që duhet të ndjekin për të aplikuar me qëllim që të fitojnë degën që duan.


Pas dhjetë vitesh aplikim me sistemin e Maturës Shtetërore, këtë vit maturantët do të aplikojnë direkt në universitete. Agjencia Kombëtare e Provimeve, e cila do të luajë rolin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, siç parashikohet në ligjin për arsimin e lartë, do të kryejë rolin e ndërmjetësit.
Kandidatët do të rendisin edhe këtë vit dhjetë preferenca, por ndryshe nga vjet, jo në Formularin A2, por në atë të aplikimit në IAL. Në fund të korrikut, AKP-ja do të hapë portalin, si dhe bashkë me të datat për aplikim sipas rretheve. Sipas guidës për maturantët, fituesit shpallen nga vetë universitetet në muajin shtator.
REGJISTRIMI NË PORTAL
Bazuar në rregulloren e Maturës, brenda datës 15 korrik pranë çdo shkolle ngrihet një komision për plotësimin e të dhënave të maturantëve në të gjitha vitet e shkollimit. Këto të dhëna bashkë me rezultate e pesë provimeve (me detyrim e me zgjedhje) i përcillen AKP-së, e cila i fut në portalin online të maturantit.
Këto shërbejnë në një moment të dytë për të bërë rankimin e aplikuesve në bazë të kritereve të vendosura nga universitetet. I njëjti proces do të kryhet edhe për maturantët e viteve të kaluara, të cilët duhet të paraqiten pranë shkollës ku kanë përfunduar arsimin e mesëm. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, penalizohen drejtpërdrejt për garimin në fakultete.
APLIKIMI
Procesi i aplikimit në universitete do të kryhet përmes portalit matura online, i cili do të hapet fillimisht në fund të korrikut për të futur mesataret e kandidatëve në portal. Por më parë, maturantët duhet të kenë bërë pagesën e faturës së aplikimit, shuma e së cilës ende nuk dihet nëse do të jetë e njëjtë me atë të vitit të kaluar, 2500 lekë.
Vetëm pas dorëzimit të mandatit, sekretaria mësimore fut në sistem notën mesatare të gjimnazit dhe atë të provimeve të Maturës në portalin e secilit aplikues. Në një moment të dytë, portali i Maturës Shtetërore rihapet për të hedhur dhjetë preferencat e kandidatëve në sistem.
Siç është thënë edhe më herët, ai do të jetë skualifikues që në krye të herës, çka nënkupton se një kandidat me mesatare nën 6 nuk futet dot në sistem, as edhe të tjerë që aplikojnë në një program studimi që ka vendosur një notë të dytë mesatare, nuk përfundojnë dot procesin.
Maturantët që janë tashmë në sistem, pasi kanë hedhur notën mesatare, mund të aksesoren me të dhënat e tyre: ID, emri, atësia, mbiemri, kartë e identitetit dhe emaili. Pasi të kenë plotësuar vendet bosh, proces që mund të kryhet në çdo vend ku ka internet, ai mund të renditë dhjetë preferenca në universitetet publike e private. Pas çdo hapi, sistemi informatik i portalit jep mesazhe informuese.
Share:

0 comments:

Post a Comment

---
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts