Stresi para provimeve, si e përjetojnë studentët kohën e sezonit

Libra voluminozë, kohë e limituar, pedagogë të vështirë, pritshmëri për rezultate të larta. Mjafton kaq, për të kujtuar se stresi është shoqëruesi më besnik i studentëve, gjatë kohës së sezonit. Por, çështja është te menaxhimi i kësaj bashkëjetese. 

Disa prej studentëve e pranojnë dhe përpiqen ta marrin si nxitje për t’u organizuar më mirë, të tjerë i japin më shumë hapësirë se ç’duhet dhe, për fat të keq, u kthehet në pengesë për të dhënë maksimumin e tyre në sezonin e provimeve. Por, shpesh kjo mbetet vetëm një fazë kalimtare.

Punonjëset e Zyrës Sociale, në Qytetin Studenti, tregojnë se në periudhën e sezonit shtohet numri i studentëve, që trokasin në zyrën e tyre për të kërkuar ndihmë, pikërisht për të menaxhuar stresin.

Janë veçanërisht studentët e viteve të para, të cilët e përjetojnë me ankth sezonin. Mungesa e familjes, ndryshimi i sistemit të shkollës, përshtatja me jetën e re në një qytet tjetër, ndikojnë akoma më shumë në këtë periudhë.

“Ka studentë që e përjetojnë thjesht me një gjendje ankthi dhe frike, ka studentë të tjerë që janë të karakterizuar nga disa mendime negative, të tipit ‘duhet të largohem, nuk e përballoj dot më këtë ngarkesë’, ‘ngarkesa mësimore është shumë herë më lart nga kapacitetet që unë kam’. Në shumë raste, studentët janë tunduar për ta lënë shkollën”, tha Rajmonda Xhetani.

Për t’u ardhur në ndihmë, punonjëset sociale kanë hartuar një broshurë, që e gjen në muret e godinave apo dhomave të shumë studentëve, rezidentë në qytetin studenti. Rajmonda Xhetani tregon për këshillat kryesore që janë përfshirë në të.

“Duke qenë se mbështetja emocionale është një lloj emergjence te ne, përpiqemi që tek ata persona që kanë një lloj vetëvlerësimi të ulët, të evidentojmë disa pika të forta, që i ndihmojnë ata për të ecur përpara. Gjithashtu, në bisedat tona nuk lëmë jashtë pa përmendur edhe metodat e një studimi efektiv dhe mënyrën e të udhqyerit. Është e dukshme që një dietë e mirë është ilaçi më i mirë për të menaxhuar sa më mirë stresin. Gjithashtu, edhe menaxhimi i kohës është një nga faktorët më të rëndësishëm”, tha Rajmonda Xhetani.

Aq sa e vërtetë është, që stresi është i pashmangshëm në këtë periudhë, por aq është edhe fakti që mund të menaxhohet, madje të kthehet në nxitës pozitiv. Provimet kalojnë shumë shpejt dhe kjo periudhë në të ardhmen mund të shërbejë vetëm për kujtime të bukura.

/ Top Channel
Share:

0 comments:

Post a Comment

---
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts