Sapo hyn në Qytetin Studenti na zënë sytë vetëm të rinj. Prej vitesh të tëra, ajo është cilësuar si një prej zonave dedikuar vetëm të rinjve. Ndërtesa të mëdha të ngritura me qëllim strehimin e tyre. Zhurmë, lokale të tejmbushura, të qeshura, kjo është pamja që gjithmonë ka ofruar kjo zonë. Njerëz të panjohur që fati i ka ndeshur së bashku dhe pas shumë vitesh janë bërë miq të mirë. Në këtë zonë ka një numër të madh konviktesh, të cilat shërbejnë vetëm për të rinjtë. Herë pas here ka pasur ankesa në lidhje me kushtet e ofruara ty, mirëpo, duket se vit pas viti gjërat kanë ardhur duke ndryshuar. Nga një vëzhgim rezulton se janë bërë një sërë ndryshimesh, duke filluar që nga vënia e kamerave të sigurisë e deri te pastërtia. Mirëpo, nuk mungojnë as muret me lagështirë dhe as rrëmujat që shpesh krijohen.
Ka probleme edhe për sa i përket sigurisë, pasi persona të paautorizuar dhe që nuk janë banorë të konvikteve futen lirshëm aty. Ambientet janë po ato me korridore të vjetra, tualete të vjetra, dhomat po ashtu, por janë lyer dhe rikonstruktuar disi.
Kamerat
Nëse do të bënim një shëtitje nga konviktet e Qytetit Studenti do të shihnim se mjaft gjëra kanë ndryshuar, një pjesë për mirë, por edhe për keq. Gjatë vizitës sonë, na ranë në sy shumë gjëra, një prej tyre ishte edhe vënia e kamerave të sigurisë në godina. Studentët tregojnë se ato janë vënë një vit më parë, për të mbikëqyrur kush hyn apo del, nëse ka persona të huaj apo edhe në raste kur dikush bën hyrje-dalje të vazhdueshme. “Syrit” të kamerave thonë kujdestarët nuk u shpëton askush, por edhe ato vetë nuk e dinë nëse punojnë realisht apo jo. “Pamjet i sheh vetëm drejtoria. Ne nuk dimë gjë, bëjmë vetëm punën tonë”, tregon një prej kujdestareve. Mirëpo, që në hyrje të godinave, një fletë e vënë në xham thotë “ambient i survejuar me kamera”. Kamerat ndodhen vetëm në hyrje të godinave, në sallonin kryesor, ndërsa në korridore apo kate nuk ka asnjë të tillë. Por, pavarësisht kamerave, studentët nuk shqetësohen aspak nga prania e tyre, duke vazhduar normalisht veprimtarinë e përditshme.
Dushet
Pjesë e rregullit të vënë në konvikte janë edhe uniformat e reja të punonjëseve. Askush nuk lejohet të punojë pa qenë i veshur me të. Punonjëset tregojnë se i kanë blerë me lekët e tyre. “Na i mbajtën nga rroga ato lekë, 22 mijë (të vjetra). Duhet ta veshim, sepse na flasin”, tregon një prej tyre. Nëpërmjet uniformës tashmë mund t’i identifikosh fare lehtë se cilat janë punonjëset e godinave. Ashtu siç ka funksionuar përherë, dushet janë me orare, përjashtim bën këtu godina numër 24-25, tek e cila dushet qëndrojnë të hapura nga ora 08.00 e mëngjesit deri në 08.00 të mbrëmjes. Studentet vetë thonë se kjo cilësohet si godina e preferuar dhe e privilegjuar, pasi ndodhet përballë drejtorisë. Ndërsa te dushet që ndodhen në godinat e tjera ka një orar të përcaktuar për larjen, që është nga ora 12 e drekës e deri në 7 pasdite. Para apo pas këtyre orëve askush nuk mund të lahet, sepse dhomat e dusheve qëndrojnë të mbyllura me çelës nga kujdestaret përkatëse. Përpos kësaj mësohet se në një dhomë qëndrojnë 2 deri në 3 vajza, ku secila ka krevatin e saj në atë hapësirë të përbashkët, në pak metra katrorë. Një pjesë e dhomave kanë ballkone të tjera jo dhe vajzat detyrohen t’i ndejnë rrobat nëpër karrige në dhomë. Gjithashtu, ato sqarojnë se në të shumtën e rasteve larjen e rrobave e bëjnë me dorë, pasi te lavanteria u kërkojnë para për të ofruar këtë shërbim.
Oraret
Pavarësisht sigurisë së lartë që presupozohet se ofrohet nga vënia e kamerave, ka edhe nga ata banorë të konvikteve që nuk u binden. Në konvikte ka të përcaktuar një rregullore dhe orar për hyrjen dhe daljen e studentëve nga godina. Saktësisht lejohen hyrjet dhe daljet nga ora 06.30 e mëngjesit deri në orën 23.30. Mirëpo, kjo ndodh që edhe nuk zbatohet, pasi ka mjaft nga ato që për një sërë arsyesh vijnë edhe pas orës 23.30 apo edhe dalin pas kësaj. Sipas studentëve, kjo bëhet me një leje të posaçme, madje ato shtojnë se ka edhe që nuk vijnë fare dhe askush nuk kërkon llogari për këtë. Studentët shtojnë se u është thënë nga kujdestarët se detyra e tyre është vetëm ofrimi i sigurisë dhe vënia e rregullit brenda këtyre ambienteve. Në konvikte mund të futen edhe të huaj, por duhet të jenë të shoqëruar nga një banor i tij. Në hyrje të godinave qëndrojnë kujdestaret, që vëzhgojnë këdo që hyn e del, duke kërkuar llogari për çdo të huaj që do të futet brenda. Çdokush mund të marrë një mik apo mike dhe futja e tyre nuk përbën problem. Më parë hyrjet dhe daljet kanë qenë pa kontrolle, por duket se së fundmi ka një siguri të shtuar për sa i përket zbatimit të këtij rregulli.
0 comments:
Post a Comment