Brain drain (migrimi i trurit) është fenomeni i lëvizjes së njerëzve të edukuar dhe me aftësi teknike në një mjedis tjetër gjeografik, ekonomik ose profesional që ofron kushte më të mira. Një nga aspektet më të rëndësishme të brain drain është migrimi i trurit nga një shtet në një shtet tjetër për të fituar një eksperience dhe një jetë me të mirë. Për shkak të globalizimit në masë, brain drain është një fenomen që ka prekur gjithë botën,
përfshirë këtu dhe shtetet e zhvilluara.
Shqipëria, si një vend në tranzicion me një ekonomi të dobët dhe nivel papunësie të lartë, nuk mund të shpëtonte pa u prekur nga ky fenomen. Një pjesë e mirë e brain drain në Shqipëri përfshin studentë që lënë universitetet shqiptare me shpresën për të marrë një edukim më të mirë gjetkë. Sipas një raporti të Bankës Botërore rreth gjysma e profesorëve, shkencëtarëve dhe intelektualëve që kanë kryer një pjesë të studimeve jashtë vendit në 20 vitet e fundit, kanë qëndruar jashtë Shqipërisë pas përfundimit të studimeve.
Pavarësisht rëndësisë së këtij fenomeni, të dhënat mbi brain drain në Shqipëri janë të pakta. Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë nuk publikon të dhënë mbi këtë temë. Të dhënat mund të gjenden vetë në sajë të burimeve të ndryshme mediatike besueshmëria e së cilëve lë për të dëshiruar. Në vitin 2006 është publikuar se rreth 25.000 studentë shqiptarë studiojnë jashtë dhe vetëm 5% e tyre e kanë të sigurtë kthimin në atdhe. Ndërsa Shqiptarja.com publikon në shtator 2013 se rreth 3000-4000 studentë shqiptarë zgjedhin të studiojnë jashtë vendit çdo vit. Pra numri i studentëve shqiptarë jashtë vendit mund të përllogaritet nga publiku vetëm përmes ndonjë projektimi të bazuar në këto shifra.
Është e rëndësishme të theksohet skepticizmi ndaj këtyre burimeve jo fort formale të statistikave. Mungesa e të dhënave zyrtare mbi brain drain dhe një detaj i vogël si mungesa e një faqeje në shqip në Wikipedia për këtë temë, na tregojnë se jo shumë po bëhet për ta studiuar dhe parandaluar këtë fenomen.
Sipas rezultateve të një pyetësori të bërë për këtë artikull ku morën pjesë rreth 50 studentë që studiojnë jashtë Shqipërisë, 1/3 e tyre nuk mendojnë të kthehen në atdhe. Ata japin si arsye kryesore pagat e ulëta, mungesën e meritokracisë në Shqipëri si dhe rehatinë që u ofron jeta në perëndim. Një student që shkollohet në Itali thotë se ka dëshirë të jetojë në një metropol të shquar për jetën kulturore, artistike dhe sociale. Një tjetër studente në Gjermani shprehet se Shqipëria është e organizuar me sisteme të dështuara që po kalben edhe me tepër për shkak të korrupsionit. Disa studentë të tjerë , të cilët studiojnë kryesisht shkenca biologjike, ndihen pesimistë për shkak të mungesës së mundësive për punë kërkimore në Shqipëri. Realisht, për momentin vetëm 0,18% e PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto – GDP) i kushtohet kërkimit shkencor në vendin tonë, krahasuar me mesataren 1,9% të PBV në Bashkimin Europian.
Anën tjetër të tablos e përbëjnë 2/3 e studentëve që mendojnë të kthehen apo kanë mëdyshje lidhur me këtë vendim. Shumica e studentëve mendojnë të kthehen në atdhe pasi të marrin eksperiencë pune jashtë vendit. Rreth 85% e tyre përmendin si arsye dëshirën për të kontribuar për zhvillimin e Shqipërisë. Një studente në Angli shprehet optimiste për mundësitë e punësimit në Shqipëri për shkak të pranisë në vend të kompanive si Big 4 (KPMG, PwC, Deloitte dhe E&Y). Një tjetër studente planifikon të kthehet në Shqipëri për të përfituar nga mungesa e konkurrencës në sektorë të caktuar të tregut shqiptar dhe për shkak të taksave të ulëta për biznesin krahasuar me vendet perëndimore . ” Vë re se në sektorin e teknologjisë së informacionit, elektronikës dhe energjitikës ka shumë vend për përmirësim, gjë që e bën të domosdoshme pasjen e një ‘armate’ njerëzish të kualifikuar që Shqiperisë i nevojitet në këtë moment më shumë se vendeve të tjera të Europës.” – shprehet një tjetër i sapodiplomuar në një universitet gjerman. Megjithatë edhe këta studentë, që ndihen më optimistë për kthimin në Shqipëri, shprehin shqetësimin për pagat e ulëta, cilësinë e ulët të jetës në Shqipëri dhe mungesën e sigurisë.
Nga rezultatet e këtij pyetësori vihet re se dëshira për t’u kthyer në atdhe në parim ekziston. Studentët shqiptarë ndiejnë një përgjegjësi për të kontribuar për zhvillimin e vendit tone. Ndaj është detyra e qeverisë që t’u mundësojë këtyre të rinjve të kontribuojnë për përmirësimin e Shqipërisë.
Fillimisht, është e nevojshme që migrimi i trurit të studiohet si fenomen. Instituti i Statistikave duhet të mbledhë të dhëna mbi këtë temë, si për shembull përmes plotësimit të pyetësorve në provimet e Maturës Shtetërore që marrin të dhëna mbi vendin dhe degën e planifikuar për studime nga studentët e ardhshëm.
Gjithashtu, dhënia e mundësisë për të votuar studentëve shqiptarë jashtë vendit mund t’i bënte ata të ndjeheshin më të angazhuar mbi fatin e Shqipërisë. Për më tepër, krijimi i programeve për praktika apo trajnime në masë më të gjerë nga shteti shqiptar, do t’u jepte mundësinë studentëve të mësoheshin me tregun e punës në Shqipëri dhe mund ta bënte tranzicionin e tyre më të lehtë.
Të gjithë studentët që vendosin të largohen nga atdheu ynë kanë arsye të vlefshme, që kanë të bëjnë kryesisht me përpjekjen për të gjetur mundësi më të mira jashtë vendit. Prandaj motivimi i këtyre njerëzve të edukuar për t’u kthyer në Shqipëri, kërkon një angazhim serioz nga ana e shtetit Shqiptar. Vetëm përmes ofrimit të kushteve të përshtatshme, dëshira e studentëve për të kontribuar për zhvillimin e Shqipërisë, mund të kthehet në realitet.
©http://tablo-al.com/
©http://tablo-al.com/
0 comments:
Post a Comment