Me sytë e mendjes, studentja Anisa Proda, hodhi sot hapin më të lartë akademik, mbrojtjen e Doktoraturës.
Edhe pse ka lindur e verbër ajo i ka thyer të gjitha paragjykimet dhe i mundi vështirësitë që i dolën para për t’ia dalë në shkollimin e saj që u finalizua në marrjen e titullit “Doktor Shkencash” në Shkencat Sociale në UET.
Ajo mban në duar një libër të trashë në kapakun e të cilit shkruhej: Punim Doktoral; Tema: “Pesha e kapitalit social në performancën qeverisëse. Zbërthimi i besueshmërisë dhe besimit insitucional në kontekstin e Shqipërisë”.
Libri është një kopje e printuar e punimit doktoral për jurinë, ndërsa ajo vetë i duhet të lexojë dhe të shkruajë me anë të programeve të veçanta kompjuterike të krijuar posaçërisht për personat e verbër.
Kërkimi shkencor dhe shkruatja e diplomës ka qenë një sfidë shumë e madhe për të, vështirësi që një student tjetër nuk do t’i imagjinonte, por Anisa e përmbylli me sukses përpjekjen disa-vjeçare në edukim.
“Ishte një emocion i madh, pasi nuk ishte e lehtë për të përfunduar studimet doktorale. E para, sepse vështirësitë logjistike ishin të mëdha, mua vazhdimisht më duhet që t’a përshtas literaturën në formë elektronike, ose më duhet që të kem asistues për të më ndihmuar me gjëra që janë vizuale”, - tha ajo pasi kaloi me sukses mbrojtjen para jurisë.
Anisa gjen rastin të falenderojë udhëheqësin e saj të Doktoraturës, profesor Fatos Tarifa.
“Profesor Tarifa më ka inkurajuar vazhdimisht dhe ka qenë hap pas hapi në ndjekje dhe në ato momente kur unë ndjeja që më ishte lëkundur besimi tek vetja, apo kur mund të thoja që nuk e përfundoj dot. Përveç mbështetjes akademike më ka dhënë edhe shumë mbështetje morale që ta çoja deri në fund punën e nisur”.
Komisioni i mbrojtjes së doktoraturës ishte i përbërë nga Prof. Dr. Tonin Gjuraj, Kryetar, Prof. Dr. Lek Sokoli si oponent i jashtëm, Prof. Asoc.Dr. Roland Lami, oponent i brendshëm, Prof. Dr. Aleksandër Dhima dhe Prof. Asoc.Dr. Odeta Barbullushi, anëtarë.
Sokoli e krahason Anisën me Helen Keller, e para studente e verbër dhe shurdhe që arriti të merrte një diplomë universtare në botë.
Por vetë Anisa thotë se ka shumë të rinj të verbër që studiojnë dhe avancojnë me studimet e tyre edhe post-universitare edhe pse me vështirësi të mëdha.
Para se të niste studimet pwr doktoraturw, Anisa ka përfunduar studimet Master në UET e mbështetur me bursë studimi nga universiteti, të cilën ajo e vlerëson si ndihmë në rrugën e saj.
“Në një farë mënyre shkolla më ka lehtësuar në këtë drejtim duke më mbështetur me bursë dhe duke më lënë kshtu mundësinë që të paguaj shërbime që më duhen për të lehtësuar zhvillimin e mësimit apo njohjen me literaturën e cila mund të mos jetë në format elektronik”,- shprehet ajo.
Një student që nuk shikon, nuk ka të njëjtat kushte, lehtësira, të njëjtin akses si një person që shikon përsa i përket anës logjistike.
Anisa shpreson se me reformën e re në arsim të ketë më shumë lehtësira për kategorinë e studentëve me nevoja të veçanta.
"Ligjet ekzistojnë, por Shqipëria është në hapat e para, për shembull që universitetet të kenë mundësi të ngrenë një zyrë shërbimesh për studentët me nevoja të veçanta, sepse kjo edhe kushton. Me ligjin e ri të arsimit pretendohet që të dedikohen buxhete edhe për këta studentë. Shpresoj që të realizohen”.
Anisa aktualisht punon në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, specialiste në politikat e mbrojtjes shoqërore, një mundësi për të që të jetë në krah të atyre që kanë nevojë.
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.
0 comments:
Post a Comment