Dy djem të rinj, të pashëm dhe të veshur me marka, vetëm në pak ditë kanë arritur të arkëtojnë vlera të mëdha parash ndër studentë të Universitetit të Vlorës
Pas bursave online, kursimet e qytetarëve shqiptarë po kërcënohen nga skemat të mundshme mashtrimi “Ponzi”.
Të joshur nga premtimet për superfitime, shumë të rinj janë përfshirë në blerjen me çmime dhjetëfish më shumë se tregu të shërbimeve IT si domene dhe softe. Çdo blerës duhet të gjejë dy blerës të rinj dhe kështu me radhë.
Kompania, që ofron këtë shërbim në Shqipëri, është akuzuar në Turqi nga organet e drejtësisë për mashtrim. Policia, në dijeni, por nuk ka përfunduar hetimin. Institucionet financiare apelojnë për kujdes.
Dy djem të rinj, të pashëm dhe të veshur me marka, vetëm në pak ditë kanë arritur të arkëtojnë vlera të mëdha parash ndër studentë të Universitetit të Vlorës nëpërmjet prezantimit të një skeme për të cilën agjencitë shtetërore dyshojnë se që ngjan me modelin e famshëm piramidal “Ponzi”.
Të prezantuar si trajnues të një kompanie turke, ata iu kanë kërkuar studentëve të bëhen pjesë e grupit duke paguar 1000 lekë, ku më pas ata do të krijonin një adresë në portalin e tyre dhe do të kishin një program të sofistikuar që ti duhet të shpërndaje 10 postime në ditë për të fituar 4 dollarë. Këto para mund të tërhiqeshin kur të bëheshin 300 dollarë, por kur arrije një shumë të caktuar, ata të zeronin llogarinë dhe të dërgonin një mesazh që kishe vepruar gabim në sistem.
Skemat funksionin kështu edhe me produkte të tjera, trajnerët shesin ndër të rinj paketa domain, me vlerë 70-75 mijë lekë (rreth 600-700 dollarë) disa herë më shumë se vlera reale e tregut. Çdo blerës duhet të gjejë dy blerës të rinj e kështu me radhë.
Sipas ofertës, konsumatori përfiton 5% të shumës prej 600 USD për çdo referim të drejtpërdrejtë që do të arrijë të realizojë, të cilat kalojnë në Bonus Point Statement.
Fitimi i parë për konsumatorin arrihet kur plotësohen dy çiftet e para, nga të cilat 150 USD kalojnë në Bonus Point Statement dhe 50 USD në Voucher Statement. Fitimet në vazhdimësi për konsumatorin arrihen atëherë kur të plotësohen 3 çifte të tjera, shumë e cila ndahet në 225 USD në Bonus Point Statement dhe 75 USD në Voucher Statement.
Me këtë ofertë janë mashtruar qindra të rinj në vend, të cilët edhe pse kanë arritur të realizojnë referimet dhe të kapin bonuset nuk kanë marrë asnjë para mbrapsht. Trajnerët janë zhdukur duke lënë pas jo vetëm paratë e humbura, por edhe konflikte të shumta sociale.
Me një kërkim të thjeshtë në internet sheh se çmimet e këtyre produkteve janë shumë më të lira. Një shitës britanik i produkteve të web-eve dhe hosteve “godaddy.com” e shet një domain me 11.9 euro dhe nj ë host me 3.9 euro.
Kjo skemë e eksperimentuar në masë në Universitetin e Vlorës pasi është strukturuar mirë edhe në nivel menaxherësh, pasi ka grumbulluar shumat, ka përhapur lajmin te kreditorët se organizata ka falimentuar, ndërkohë që aktiviteti i saj vijon edhe sot në qendër të Tiranës dhe në të gjitha rrethet kryesore.
Tre skema të tilla qe shesin produkte virtuale me çmime marramendëse po përhapen në masë, sidomos në qytetet e Fierit dhe Vlorës.
Burimet pranë kompanive pohojnë se janë përfshirë në këto skema rreth 4000 të rinj. Burimet policore kanë pohuar zyrtarisht për “Monitor” se janë në dijeni të aktivitetit të kompanisë, por nuk kanë zbardhur shumë detaje për shkak të konfidencialitetit.
Si po mashtrohen të rinjtë
20-vjeçarët e sotëm nuk i kanë të qarta përmasat negative që patën skemat piramidale të vitit 1997. Ekonomia e Shqipërisë dhe jeta sociale e vendit ka përjetuar dimensione të tjera pas atyre ngjarjeve ku mbi 205 mijë shqiptarë humbën 1.2 miliardë dollarë kursime në 24 firma piramidale. Vendi për pak shkoi në luftë civile dhe pas këtyre ngjarjeve, një pjesë e madhe e vlerave kombëtare dhe sidomos dokumentacionit, u zhdukën. Teksa për shumë familje shqiptare këto plagë janë ende të hapura, 20-vjeçarët e sotëm duket se janë pak të informuar për këtë tragjedi dhe pasojat e saj.
Teknologjia dhe avancimi i saj nga njëra anë dhe papunësia e lartë ndër të rinj (32%) nga ana tjetër po joshin gjithnjë e më shumë skema të sofistikuara të mashtrimit. Pikërisht këta 20-vjeçarë që janë njohësit më të mirë të teknologjisë, në kushtet e mungesës së tregut serioz të punës dhe me etjen për të siguruar të ardhura shpejt dhe pa lodhje, po bien çdo ditë e më shumë pre e mashtrimeve.
Kompanitë që po grumbullojnë me shpejtësi vlerat financiare kanë zgjedhur një mënyrë të sofistikuar me marketing të drejtpërdrejtë, duke i kontaktuar personat jo nga telefoni, po direkt. Janë përzgjedhur përgjithësisht disa punonjës të rinj që bëjnë ofertat për të rinj. Ata prezantohen si modele të rreme të personave që fitojnë mijëra euro në muaj nga klikimet në internet. Takimet kryhen në ambiente universitetesh dhe në zona që popullohen nga të rinjtë. Bëjnë disa prezantime në ‘power point’ dhe në këtë mënyrë arrijnë të krijojnë besueshmëri të mjaftueshme. Aq sa shumë të rinj kanë hyrë në borxhe për të investuar në këto skema.
Personat që kanë rënë viktima të këtyre skemave, por që duan të ruajnë konfidencialitetin, për shkak se shpresojnë të marrin paratë, pohojnë se, kanë më shumë se një vit në marrëdhënie me kompaninë e mashtruese dhe nuk po marrin paratë mbrapsht. Disa prej tyre janë në konflikte me familjet e tyre, pasi kanë nxitur të tjerë të afërm për të investuar në shërbime me vlerë më të shtrenjtë se tregu në këmbim të fitimeve që kurrë nuk i kanë marrë.
Disa prej të rinjve të mashtruar kanë zgjedhur të denoncojnë online skemën e mashtrimit, por të tjerët duket se janë drejtuar edhe në polici.
Ekspertët e IT zbërthejnë skemën e mashtrimit
Xhoen Osmenaj, një ekspert IT, administrator i disa faqeve informative, thotë se skema në të cilën kompania turke ka përfshirë shumë të rinj është tërësisht mashtruese. Duke mos njohur tregun e shërbimeve të IT, njerëzit po paguajnë shuma të mëdha mbi 60-70 mijë lekë për diçka që kushton 20 dollarë.
Osmenaj shpjegon se, shumica e njerëzve në qytetin e Fierit, sidomos të rinjtë, po gënjehen sepse kanë dëgjuar që të tjerë fitojnë nga 2000 dhe 3000 euro dhe joshen se do të fitojnë shumë shpejt. Po ata kushtëzohen nga trajnerët që të ofrojnë edhe shumë persona të tjerë në skemë, në mënyrë që të fitojnë më shumë dhe rriten në hierarki. Xhoeni, i pasionuar që në vegjëli rreth teknologjisë, thotë i shqetësuar se nuk ka mundur të ndalojë as shokun e tij të ngushtë që është përfshirë në këtë skemë. Dhe pavarësisht se ka kaluar shumë kohë dhe ende nuk po i kthehet investimi, ai vazhdon të shpresojë, tregon Xhoeni. Ai shpjegon se, në këtë rrjet mashtrimi po përfshihen studentët, të cilët dihet që kanë nevoja të shumta për financimin e studimeve. Njëri prej pjesëmarrësve i pohon “Monitor”, se ishte nxitur nga trajnerët e kompanisë që të merrte para borxh se fitimet do të jenë të larta. Madje të sugjerojnë se mund të marrësh edhe kredi në banka dhe forma të tjera borxhi, që të blesh “ajrin” që ata shesin.
Prej shumë vitesh, Shqipëria ka lehtësuar së tepërmi skemën e regjistrimit të biznesit. Në vetëm një ditë, duke paraqitur një kërkesë të thjeshtë dhe disa dokumente identifikimi regjistrohesh në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Madje tani regjistrimi mund të kryhet edhe online, pa u paraqitur fare në sportelet e QKR. Në këtë mënyrë, kompania Mega Holdings në tetor të vitit 2014 ka kryer regjistrimin në QKR me status sh.p.k. Sipas të dhënave në tatime, kompania ka siguruar të një xhiro prej 50 milionë lekësh dhe ka shpërndarë vetëm 40 për qind të kësaj shume bonuse. Madje kompania ka hapur edhe website-n në shqip ku ekspozon shitjen e produkteve të saj (shih linkunhttp://www.megaholdingsbalkan.com/index.php.)
Hetimi në Turqi
Në vitin 2014, shteti turk do të vihej në lëvizje për të parë anën mashtruese të Mega Holding, por sipas mediave vendase, shteti atje është përshirë edhe në plotësimin e mungesave ligjore për të frenuar mashtrimin e kompanisë. Gazeta Hyrriet, ndër mediat më të mëdha print në Turqi, raporton se organet e hetimit atje kanë zbuluar një shumë parash të barabartë me 70 milionë paund të grumbulluara nga kompania. Lista e të dyshuarve në kompaninë Mega përshin 160 persona me akuzën “Mashtrim i rëndë në progres”.
Zyra e Prokurorit të Stambollit, duke vepruar sipas instruksioneve nga zyra kundër krimeve financiare, ka treguar se kompania Mega ka mashtruar mijëra njerëz duke përdorur skemën “Ponzi”.
Hyrriet shkuan në artikullin e saj të datës 12 qershor 2015 se ëebsite i skemës mashtruese, kishte anëtarë të rinj në moshë dhe kryesisht shtresën e mesme. Policia e Stambollit, për të thelluar hetimin, ka infiltruar 100 mbi policë në këtë skemë.
Kryeinspektori Shakir Engin Yüksel, i cili ka përgatitur raportin, ka argumentuar se Mega Holdings ka bërë “mashtrim të rëndë”.
Në përmbledhjen e raportit hetimor shihen qartë karakteristikat dalluese të sistemit të shitjes piramidë. “Të paktën 71.8% e anëtarëve kanë pësuar humbje në terma monetare. Anëtarët e sistemit krijohen përmes metodës psikologjike, duke premtuar shumë para te të rinjtë. Bëhet një ceremoni ku ofrohen bonuse. Produktet që shiten në ëebfaqe janë dukshëm më shtrenjtë se produktet e ngjashme në treg. Produkti (ëebsite) është përdorur si një mjet për të bërë regjistrimin si anëtar. Nuk është një model i qëndrueshëm i biznesit. Ata që janë në pjesën e poshtme të duarve piramidale (rreth 70%) janë gjithmonë të destinuar si humbës”, thuhet në deklaratën e kryeinspektorit të hetimeve Shakir Engin Yüksel.
Megjithatë, ekspertët ligjorë thonë se produkti është vetëm një mbulesë për zinxhirin e financuar nga rrjedha e parave të fituara me anë të përfshirjes së konsumatorëve të rinj në sistem.
Prof. Ünal Tekinalp, një nga arkitektët e kodit të tregtar turk, e ka quajtur praktikën “mashtruese”. “Nuk ka vend për të cituar ligjet e tregtisë, sepse kjo skemë është mashtrim”, tha ai. Avokati Çagrı Çetin tha gjithashtu se baza ëebsite paraqitet si produkt me qëllim për të maskuar mashtrimin, shkruan Hyrriet. “Përdorimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit për të kryer mashtrimet përbën krim të madh”, deklaroi avokati. Kur blerësit shesin faqen e internetit te njerëzit e tjerë, ata fitojnë 315 dollarë në fazën e parë dhe marrin aksione nga çdo shitje të konsumatorëve të rinj dhe të klientëve të tyre, të ngjashme me një skemë piramidale.
Turqia u takua me skemën “Ponzi” në shtator të vitit 1997 me kompaninë e “Titan”
Aktivizohet edhe policia shqiptare
Policia shqiptare është në dijeni të aktivitetit të Mega Holding. Burimet policore pohuan se kanë dijeni për kompaninë, pa dhënë shumë detaje për çështjen, për shkak të elementeve të konfidencialitetit. Siç duket, hetimet janë ende në fazën e grumbullimit të të dhënave, teksa ekspertët ligjorë nuk janë të qartë rreth funksionimit të skemës.
Tregtia online dhe abuzimi me anë të saj ende nuk është e rregulluar shumë mirë ligjërisht. Teknologjia ka avancuar më shpejt se ligjet, ndaj dhe mashtrimet duket se janë të pashmangshme. Nga ana tjetër, autoritetet që merren me mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet financiare monitorojnë më së shumti subjektet ligjore që janë të ligjëruara, si bankat, kompanitë e sigurimit, fondet e pensionet dhe subjektet financiare jobanka.
Çfarë është një skemë “Ponzi”
Një skemë “Ponzi” është një operacion mashtrues i investimeve, ku operatori zakonisht tërheq investitorë të rinj, duke ofruar përfitime shumë më të mëdha se investimet.
Charles Ponzi, një nëpunës në Boston, e pati orkestruar një skemë të tillë në vitin 1919.
Një skemë “Ponzi” është e ngjashme me një skemë piramidale, të cilat janë të bazuara në përdorimin e fondeve të investitorëve të rinj për të paguar mbështetësit e parë. Një dallim nga skemat e mirëfillta piramidale, organizatori Ponzi mbledh të gjitha fondet përkatëse nga investitorët e rinj dhe më pas i shpërndan ato. Skema piramidale lejon çdo investitor të përfitojë direkt në varësi se sa investitorët e rinj janë rekrutuar.
Megjithatë, për të dy skemat, në fund nuk ka para të mjaftueshme për të kthyer shumat.
Skemat “Ponzi”, herë pas here, nisin si biznese legjitime, deri sa biznesi dështon për të arritur kthimet e pritura.
Biznesi bëhet një skemë “Ponzi” në qoftë se më pas vazhdon me kushte mashtruese. Sido që të jetë gjendja fillestare, përjetësimi i kthimit të lartë kërkon arkëtime gjithnjë e më të larta të parave nga investitorët e rinj për të mbështetur skemën. Një skemë “Ponzi” krijon një besim të gabuar në një realitet që nuk ekziston, duke injektuar shpresën për kthimin e investimit në shkallë shumë të lartë.
Sakaq edhe vendet mjaft të zhvilluara janë të shqetësuar se skemat “Ponzi” po gjejnë përhapje të madhe me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë.
Mungesa e alternativave, po nxit mashtrimet
Tani, kur kriza ekonomike e ka çuar konsumin në depresion dhe bankat tregtare në vend po çojnë interesat e kursimeve drejt zeros, qytetarët janë vënë në kërkim të alternativave të reja për të investuar kursimet e tyre kundrejt interesave më të larta.
Që prej shtatorit 2011, kur Banka e Shqipërisë filloi politikën agresive të lehtësimit monetar, duke orientuar bankat të ulin interesat e depozitave e kredive, kthimi nga kursimet është ulur ndjeshëm. Në shtator 2011, nga depozitat 12-mujore, mund të merrje një fitim prej 5.9%. Rritja e tatimit mbi të ardhurat nga interesi nga 10 në 15% nga janari 2015 ka ulur dhe më tej të ardhurat që kursimtarët merrnin nga interesat.
Kjo rënie e interesave ka bërë që depozituesit të tërheqin paratë nga kursimet 1-vjeçare, duke i zhvendosur ato drejt alternativave të tjera si letra me vlerë, fonde investimesh, apo kursime afatgjata. Edhe në mars, depozitat me afat të individëve në lekë ranë me 1.7 miliardë lekë, ndërsa me bazë vjetore janë tkurrur me 10%. Por krahas formave klasike të investimeve të ligjshme, kohët e fundit gjithnjë e më shumë skema spekulative po joshin qytetarët.
Biznesi i punësimit, një tjetër mashtrim
Pasi kanë nuhatur humbjen e shpresës, mungesën e mundësive për punësim brenda vendit, shumë skema mashtruese duke premtuar punësim jashtë vendit kundrejt mijëra eurove po rezultojnë mashtruese. Vetëm pak ditë më parë, në qendër të Tiranës, pak metra larg selisë së qeverisë dhe Kuvendit, një skemë mashtrimi për punësimin në Kanada kishte grumbulluar 5 milionë euro nga qytetarët. Dy personat drejtues të kompanisë tashmë janë të arrestuar.
Mirëpo zbulimi i kësaj skeme duket se është bërë shkak për denoncimin e të tjerave. Një skemë e tillë në qytetin e Fierit ka grumbulluar mijëra euro për punësim në Dubai. Të interesuarit kanë bërë pagesën e një kësti në Fier dhe janë adresuar te Kullat Binjake në Tiranë për procedurat e tjera, teksa adresa e dhënë në Tiranë ka rezultuar mashtrim
/monitor
0 comments:
Post a Comment