Qeveria ka miratuar bursat dhe pagesat e nxënësve dhe studentëve për vitin shkollor 2015-16. Nga ky vendim, do të përfitojnë nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale, nxënësit dhe studentët të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe do të jenë njësitë vendore ato që do të shqyrtojnë specifikat e tyre, që do të miratohen. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për vitet e para, është data 31 dhjetor 2015, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitin e dytë e lart është data 30 nëntor 2015. Vendimet e miratuara nga këshillat bashkiake jashtë këtij afati, janë të pavlefshme.
Kategoritë
Shpërndarja e bursave do të bëhet, bazuar në disa kritere, ku përfshihen rezultatet e arritura, kriteri ekonomik, kategoritë me status të veçantë etj. Përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët brenda kuotave, sipas kriterit ekonomik, a) Nxënësit që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km dhe studentët që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 10 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre e që plotësojnë kriterin ekonomik, b) Nxënësit që banojnë në fshat, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, që akomodohen në konvikte publike dhe plotësojnë kriterin ekonomik, c) Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që akomodohet në konvikte publike dhe plotëson kriterin ekonomik.
Bazuar në rezultatet e arritura do të përfitojnë nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat dhjeta; b) Nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale në drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi tetë; c) Studentët e regjistruar në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga MAS më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga AKP-ja.
Për vitin akademik 2015-2016, numri i tyre do të jetë 30 studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin akademik 2015-2016; ç) Studentët që kanë përfunduar vitin akademik pararendës me të gjitha notat dhjeta; d) Studentët që vazhdojnë studimet në programet e studimit Matematikë dhe Fizikë, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi tetë. Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë, ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur: a) janë ndarë nga trungu familjar; b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private; c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi; ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
Përzgjedhja
Dy ministritë e ngarkuara nga Qeveria, për vitin e ri akademik 2015-2016, të japin 1950 bursa për nxënësit dhe 1800 bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, për të gjitha kategoritë e parashikuara. Nga plani i bursave të miratuara për vitin akademik 2015-16, bashkisë së Tiranës i jepen deri në 15 bursa për studentët të cilët, pavarësisht nga kriteri i vendbanimit apo kritereve ekonomike, kanë statusin ligjor të jetimit si dhe statusin invalid paraplegjik apo tetraplegjik, ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, për këtë kategori studentësh, u jepen deri në 5 bursa.
Njësitë bazë të qeverisjes vendore, detyrimisht, duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 31.12.2015, institucioneve publike të arsimit të lartë, njësive bazë të qeverisjes vendore, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për nxënësit, administrohen nga njësitë administrative, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.
Ja përfituesit jashtë kriterit ekonomik
Përfitojnë bursë nga shteti, jashtë kriterit ekonomik fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Në fillim të çdo viti akademik, (jo më vonë se data 15 dhjetor 2015), Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë listën edhe për këtë kategori nxënësish e studentësh.
Ndërsa sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit përfitojnë bursë, nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit. Gjithashtu do të ketë lehtësi edhe për nxënësit e shkollave profesionale me vendbanim të përhershëm në zonat Verilindore dhe Juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Pogradec, Skrapar dhe Tepelenë.
Home »
BURSA DHE STUDIMI JASHTE
» Bursat, ja nxënësit dhe studentët që përfitojnë
Bursat, ja nxënësit dhe studentët që përfitojnë
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.
0 comments:
Post a Comment